I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot dhe nesër do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë dhe Beograd.
Escobar dhe Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë. Ata do të priten sonte në orën 20:00 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimi mbahet në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Telegrafi mëson se Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe presidenten Vjosa Osmani. Takimi i tyre pritet të mbahet nesër në mëngjes.
Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.
Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa. /Telegrafi/