Site icon Telegrafi

Emigrantët shqiptarë në Angli, Rama: Krenar për Brojën, nuk jemi ne problemi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk është mjaftuar vetëm me intervistën në BBC për të reaguar ndaj Britanisë së Madhe për emigrantët shqiptarë, aty ku tha se nuk mund të fajësohet Shqipëria për problemet e kufirit mes Francës dhe Anglisë.

Ai ka postuar një pjesë nga konferenca për shtyp e dy ditëve më parë të Armando Brojës para ndeshjes me Dinamon e Zagrebit në Champions League.

Armando Broja foli me superlativa për origjinën e tij. Edhe pse evitoi përfshirjen në çështje politike, sulmuesi i Chelsea u shpreh krenar që është shqiptar.

“Nuk kam lexuar se çfarë po ndodh, por jam krenar që jam shqiptar. Prindërit dhe origjina ime është shqiptare. Jam i lumtur që jam shqiptar dhe është një nder i madh që të luaj për kombëtaren. Jam krenar për origjinën dhe vendin tim të mrekullueshëm”, shprehej Broja.

Ndërkohë, Rama shkruan në Twitter se është krenar për Brojën dhe të gjithë shqiptarët që punojmë dhe kontribuojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa kritikon ata që kanë kthyer në shënjestër shqiptarët duke i kritikuar për problemet me emigrantët që po has Britania e Madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version