Unai Emery po dëshiron të punojë përsëri me mesfushorin francez Steven N’Zonzi.
Mesfushori francez gjatë verës iu bashkua klubit italian Roma nga Sevilla, edhe pse në garë për të ishte edhe Arsenal.
Roma fitoi garën me klubin londinez, por N’Zonzi nuk është ambientuar mirë në Serie A.
Kësisoj trajneri spanjoll Unai Emery po synon të ribashkohet me N’Zonzin përsëri, por kësaj radhe në Londër te Arsenal.
Sipas asaj që ka raportuar Daily Mirror, trajneri Emery po planifikon transferimin e francezit gjatë afatit kalimtar të verës.
30-vjeçari ka një kontratë me Romën deri në qershor të vitit 2023, por duket se nuk do të mbetet deri në atë kohë në kryeqytetin italian.
Topçinjtë janë gati të ofrojnë rreth 32 milionë euro për transferimin e tij në Ligën Premier.
Për N’Zonzin do të ishte një rikthim në futbollin anglez, pasi më parë ka luajtur edhe për Blackburnin dhe Stoke Cityn, sa ishin këto dy skuadra pjesë e elitës së futbollit anglez. /Telegrafi/