Elon Musk është bërë një person me ndikim të madh me më shumë se 109.1 milionë ndjekës në Twitter. Vetëm ish-presidenti amerikan, Barack Obama (me 133.5 milionë ndjekës) dhe ylli i muzikës pop, Justin Bieber (me afro 114 milionë ndjekës) janë para tij.
Në bazë të ritmit që po rritet popullariteti i tij, shefi ekzekutiv i Teslas pritet t’ia rrezikojë fronin Obamas pas disa muajsh. Për më shumë, ai e ka kthyer ndikimin e tij në pushtet.
Miliarderi nuk ndalet dhe vazhdon ta testojë fuqinë e tij, nganjëherë në sektorë të papritur dhe befasues.
Musk, i cili tashmë është i përfshirë në disa sektorë të aktivitetit ekonomik, më 12 tetor hyri në një industri të re. Kjo industri ka të bëjë me kujdesin dhe bukurinë, ndërsa tradicionalisht ka qenë e dominuar nga markat, si Chanel e Dior, që kanë shpenzuar dekada duke krijuar një lidhje të veçantë me konsumatorët.
The finest fragrance on Earth!https://t.co/ohjWxNX5ZC pic.twitter.com/0J1lmREOBS
— Elon Musk (@elonmusk) October 11, 2022
Megjithatë, në vitet e fundit, industria është tronditur nga influencuesit me shfaqjen e ekonomisë kreative. Suksesi i klanit Kardashian-Jenner simbolizon kështu rritjen e influencuesve në industrinë e bukurisë.
Tash e tutje, kjo industri duhet të llogaritë edhe në Musk, i cili e ka lansuar parfumin e tij. Aroma e quajtur Burnt Hair tashmë është shitur.
Mbrëmjen e të martës, ai njoftoi në Twitter se “28.700 shishe me parfum të shkëlqyeshëm Burnt Hair janë shitur tashmë” dhe se “vetëm 1.300 kanë mbetur nga ky artikull koleksionist unik, prodhim i kufizuar”. Teksa rreth dy orë më vonë postoi një tjetër mesazh për të njoftuar se është shitur i gjithi.
And … sold out!
— Elon Musk (@elonmusk) October 19, 2022
Kjo do të thotë se miliarderi kishte planifikuar vetëm një edicion të kufizuar që përfshin 30.000 shishe të kësaj arome të shitura me një çmim prej 100 dollarësh për njësi, duke përfshirë kostot e transportit për klientët amerikanë.
Kështu, ai ka gjeneruar të ardhura prej të paktën tre milionë dollarë brenda gjashtë ditësh. Edhe pse kjo shumë duket e parëndësishme në krahasim me pasurinë e Musk, e cila arrin në 208 miliardë dollarë (në kohën e këtij shkrimi sipas Bloomberg Billionaires Index), ajo megjithatë pasqyron fuqinë shitëse të pasanikut. /Telegrafi/