Site icon Telegrafi

Elon Musk lanson startupin për Inteligjencë Artificiale xAI

Sipërmarrësi miliarder, Elon Musk ka lansuar të mërkurën startupin e tij për Inteligjencë Artificiale xAI të cilin e kishte paralajmëruar prej kohësh, për të nxjerrë një produkt që synon të konkurrojë me chatbotin ChatGPT.

Siç raportohet, startupi do të udhëhiqet nga Musk, i cili në të njëjtën kohë kishte thënë se zhvillimi i AI-s duhet të pauzohet dhe se ky sektor kishte nevojë për monitorim.

Musk ka shprehur vazhdimisht shqetësimet për potencialin e AI-s që mund të “shkatërrojë civilizimin”.

Në një event në Twitter Spaces të mërkurën në mbrëmje, Musk shpjegoi planin e tij për ndërtimin e një Inteligjence Artificiale më të sigurt.

“Nëse do të përpiqet të kuptojë natyrën e vërtetë të universit, kjo do të ishte në fakt gjëja më e mirë që mund të dal nga pikëpamja e sigurisë së AI-s”, tha Musk. “Unë mendoj se do të jetë pro-njerëzimit nga pikëpamja që njerëzimi është thjesht shumë më interesant se jo-njerëzimi”.

Musk gjithashtu parashikoi se super-inteligjenca, ose AI që është më e zgjuar se njerëzit, do të arrijë në pesë ose gjashtë vjet.

Vlen të theksohet se ai ka bashkë-themeluar kompaninë e njohur të Inteligjencës Artificiale, Open AI që qëndron mbrapa ChatGPT-s, në vitin 2015, por dha dorëheqje nga bordi në vitin 2018.

Microsoft është një investitor në OpenAI. /Telegrafi/

Exit mobile version