Këngëtarja dhe arkitektja e njohur, Eliza Hoxha, duket se e ka siguruar sërish ulësen e saj në Kuvendin e Kosovës, pas një periudhe të suksesshme si deputete në dy legjislaturat e fundit.
Ajo ka arritur një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, duke marrë 16,160 vota, duke u renditur si gruaja e gjashtë më e votuar në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Hoxha, e cila është njohur për angazhimin e saj në art dhe arkitekturë, ka sjellë një frymë të re në politikë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të grave në institucione vendimmarrëse.
Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga KQZ, PDK pritet të ketë tetë femra me kuotë gjinore nga 25 deputetë, ku me rezultatet e deritanishme, Eliza rezulton të jetë një prej tyre.
Kjo arritje e Hoxhës është një reflektim i angazhimit të saj të vazhdueshëm për të përmirësuar kushte dhe mundësi për gratë dhe të rinjtë në Kosovë. Pjesëmarrja e saj në Kuvend ka sjellë një qasje të re në çështjet që prekin shoqërinë, duke e bërë atë një zë të fuqishëm për ndryshime pozitive.
Eliza Hoxha përndryshe ka një karrierë shumë të shquar në muzikë, me hite të shumta e shpërblime të ndryshme nëpër festivale. Krahas angazhimit të saj në muzikë, ajo kishte ushtruar edhe profesionin e ligjërueses në Fakultetin e Arkitekturës në UP. /Telegrafi/