Janë bërë tashmë publike listat për personat zyrtar që kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Këngëtarja dhe arkitektja e njohur, Eliza Hoxha, e ka kryer këtë detyrim për shkak të funksionit që ushtron edhe si deputete në Kuvendin e Kosovës.
Si pasuri të paluajtshme, Eliza ka deklaruar se ka një banesë 64 metra katrorë, e cila është në pronësi të saj që nga viti 2008 dhe ka vlerë afro 60 mijë euro.
Ndërkohë, në pasuri të luajtshme, interpretuesja e hitit “Rruga e zemrës” ka deklaruar një veturë të tipit “Toyota” në vlerë 10 mijë euro të blerë përmes kredisë në vitin 2020 dhe vepra arti në vlerë 6,800 euro.
Kjo e fundit duket e rrallë për një deputet, pasi këngëtarja duket se bën pjesë në listën e ngushtë të një pjese të vogël të politikanëve që nuk kursejnë blerjen e veprave të artit.
Hoxha ndërkohë nuk ka zotërim të aksioneve në shoqëri tregtare, posedim të letrave me vlerë, posedim të kriptovalutave apo para të gatshme në institucionet bankare.
Si të hyra financiare, ajo ka deklaruar rrogën e saj si deputete si të njëjtin burim të ardhurash, nga i cili siguron mbi 22 mijë euro të hyra vjetore.
Përveç rrogës, këngëtarja dhe arkitektja ka deklaruar edhe disa të hyra ‘cash’ që ka marrë si mëditje në udhëtimet zyrtare e angazhuar nga Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/