Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi në një konferencë për media ka bërë të ditur se deri sot (18 shkurt), në orën 16:00, janë numëruar rreth 78% e vendvotimeve apo rreth 1,970 nga 2,533 të votave të kandidatëve për deputetë.
Elezi ka theksuar se KQZ është duke vazhduar me intensitet të lartë punën për shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ka rikujtuar se deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta; votat nga votimi jashtë Kosovës; pas vendoset për ankesat eventuale nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Elezi ka thënë se është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi po verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, 18 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 28,099 pako, prej të cilave janë aprovuar 26,013, ndërkaq janë refuzuar 2,057. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë, etj”, ka theksuar ai.
Sipas tij, në përgjithësi, gjatë votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime dhe vetëm në përfundim të procesit të vlerësimit të tyre, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit.
“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas”, ka shtuar ai.
Elezi ka dhënë informacione edhe sa i përket votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta, i cili është zhvilluar në 56 vendvotime.
“Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota”, ka nënvizuar Elezi. /Telegrafi/