Site icon Telegrafi

Elbert Krasniqi në Izrael takohet me zëvendësministrin e Jashtëm

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Izrael, ka vazhduar me realizimin e takimeve të rëndësishme me qëllim të thellimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ai fillimisht është pritur në takim nga zëvendësministri i Jashtëm, Idan Roll, me të cilën ka diskutuar mbi bashkëpunimin në mes të Komunave të Kosovës dhe atyre të Izraelit, shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik lokal dhe ofrimit të shërbimeve së më efikase për qytetarët.

Krasniqi ka falënderuar Roll për përkrahjen e vazhdueshme të Izraelit për Kosovën duke shprehur vullnetin e plotë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Ndërsa, zëvendësministri Roll, ka njoftuar ministrin Krasniqi për zhvillimet në vend duke u fokusuar te programet dhe prioritet qeveritare në nivelin lokal.

Gjatë vizitës në Izrael, ministri Krasniqi është pritur në takim edhe nga zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Ministrisë së Jashtme, njëherësh udhëheqësja e Divizionit për Euro-Azi, Simona Halperin.

Në takim u bisedua mbi prioritetet në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm lokal, iniciativat e dy ministrive dhe programet konkrete për bashkëpunim në mes të dy vendeve.

Ndërsa në takim me zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, njëherësh udhëheqëse e Agjencionit të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar, Einat Shlain, u bisedua mbi zhvillimin ekonomik lokal, agjendën e gjelbër dhe digjitalizimin në nivel lokal. /Telegrafi/

Exit mobile version