Site icon Telegrafi

Ekipet ndërkombëtare të shpëtimit ndihmojnë Bosnjën pas përmbytjeve vdekjeprurëse

Ekipet e shpëtimit ng vendet fqinje të Bosnjës dhe Bashkimit Evropian po bashkojnë përpjekjet për të pastruar rrënojat dhe për të gjetur njerëz ende të zhdukur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që shkatërruan pjesë të vendit ballkanik.

Bëhet e ditur se Bosnja ka kërkuar ndihmën e BE-së pasi një stuhi e madhe shiu gjatë natës të së premtes la zona të tëra nën ujë dhe shkatërroi rrugë dhe ura, duke lënë dhjetëra të vdekur dhe të plagosur.

Zyrtarët thanë se të paktën 10 persona janë ende të pagjetur, shumë prej tyre në fshatin Donja Jabllanica në Bosnjën jugore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Luigi Soreca, i cili kryeson misionin e BE-së në Bosnje, tha se BE-ja qëndron me Bosnjën dhe ekipet po shkojnë për të ndihmuar.

Ndryshe, Bosnja është një vend kandidat për anëtarësim në bllokun 27-vendesh.

Autoritetet thanë se shpëtimtarët kroatë kanë mbërritur tashmë atje, ndërsa një ekip nga Serbia pritet të vendoset të dielën pasdite, i ndjekur nga një ekip slloven.

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Çekia dhe Turqia gjithashtu kanë ofruar ndihmë, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Të dielën është data e zgjedhjeve lokale në Bosnje.

Autoritetet zgjedhore kanë shtyrë votimin në rajonet e goditura nga përmbytjet, por përmbytjet kanë lënë në hije votimin në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Exit mobile version