Thënie të moralistit francez François de La Rochefoucauld (1613–1680)
– Secili nga ne ka mjaft forcë për të përballuar fatkeqësitë e të tjerëve.
– Për të pasur sukses duhet të bëjmë çmos që të shfaqemi si njerëz të suksesshëm.
– Urtësia është për shpirtin si shëndeti për trupin.
– Ferri i grave është pleqëria.
– Ai, të cilit i besoni sekretin tuaj, ai bëhet pronari i lirisë suaj.
– Asgjë nuk jepet me aq bujari sa këshillat.
– Grindjet nuk do të zgjasnin shumë, nëse faji do të ishte vetëm i njërës palë.
– Xhelozia lind gjithmonë me dashurinë, por jo gjithmonë vdes me të.
– Virtytet treten në interes si lumenjtë në det.
– Kur veset na braktisin, mburremi se i braktisëm ne.
– Pjesa më e madhe e femrave të ndershme janë thesare të fshehta e të sigurta, ngaqë askush nuk i kërkon.
– Është më turp të mos u besosh miqve sesa të gënjehesh prej tyre.
– Tradhtohet më shpesh prej dobësisë sesa prej dëshirës për të tradhtuar.
– Mund të jesh më dinak se një tjetër, por jo më dinak se gjithë të tjerët.
– Në dashuri, shërohet më mirë ai që shërohet më shpejt.
– Më lehtë heqim dorë nga interesi ynë sesa nga shijet tona.
– Është më kollaj të jemi të mençur për të tjerët se për veten.
– Sado që të na lëvdojnë, asgjë të re s’na mësojnë.
– Atij që s’i pëlqen askush është më i palumtur se ai që nuk pëlqehet nga askush.
– Guximi i vërtetë është të bëjmë pa pasur asnjë dëshmitar atë jemi të gatshëm të bëjmë në sytë e botës.
– Rinia i ndryshon shijet ngaqë i vlon gjaku, ndërsa pleqëria i ruan shijet prej forcës së zakonit.
– Pendesa jonë nuk vjen dhe aq nga keqardhja ndaj të keqes që kemi bërë, sa nga frika e asaj që mund të rrjedhë prej saj.
– Kujdesi dhe dashuria nuk bëjnë për njëri-tjetrin. Ndërsa dashuria rritet, kujdesi zvogëlohet.
– Mënyra më e mirë për t’i mbajtur miqtë është të mos u kërkosh asgjë e të mos u detyrohesh asgjë.
– Të shumtë janë ata që puthin duart që do të donin të kafshonin.
– Rinia është një drithërimë e vazhdueshme, është gripi i arsyes.
– Një femre s’ka ç’i duhet të jetë e re pa qenë e bukur, as të jetë e bukur pa qenë e re.
– Mungesa i zbeh dashuritë e vogla dhe i rrit të mëdhatë, njësoj si era që shuan qiriun por ndez zjarrin.
– Nuk bëhesh qesharak për cilësitë që ke, por për ato që shtiresh sikur ke.
– Nëse akoma nuk është gjetur ana qesharake tek ndonjë individ, do të thotë nuk është kërkuar mjaftueshëm.
– Qartësia e vërtetë qëndron në të thënit e të nevojshmes dhe vetëm të nevojshmes.
– Premtimet e disave janë si rërat thithëse, të cilat, po t’i shohësh nga larg duken të qëndrueshme e të sigurta, por rezultojnë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.
– Përvujtëria është forma më keqe e mendjemadhësisë.
– Vetëm ai që është i denjë për përçmim ka frikë se mos e përçmojnë.
– Shpresa, për sa e gënjeshtërt është, të paktën shërben për të na çuar drejt vdekjes për një rrugë të pëlqyeshme.
– Ka më shumë rëndësi të studiohen njerëzit se librat.
– Është çmenduri e madhe të duash të jesh i vetmi i mençur.
– Ka çmenduri që përhapen si sëmundje ngjitëse.
– Egoizmi i flet të gjitha gjuhët dhe i luan të gjitha rolet, edhe atë të zemërgjerësisë.
– Para se të dëshirosh fort diçka, duhet të shikosh se sa i lumtur është ai që tashmë e zotëron atë.
– Mospranimi i lëvdatës nxjerr në pah dëshirën për t’u lëvduar dy herë.
– Mirënjohja është vetëm pritje për ndere të reja.
– Kush merret tepër me gjëra të vogla, bëhet i paaftë për gjëra të mëdha.
– Si mund të pretendosh që një tjetër të mbajë sekretin tënd, kur ti vetë, duke ia besuar atij, nuk ke ditur ta mbash?
– Heshtja është sjellja më e sigurt për atë që nuk ka vetëbesim.
– Nganjëherë mjafton të jesh injorant që të mos gënjehesh nga një njeri inteligjent.
– Mendjemadhësia e favorizon bisedën më shumë se inteligjenca.
– Secili nga ne fal aq sa mund të dashurojë.
– Xhelozia ushqehet me dyshime dhe shndërrohet në tërbim, ose vdes në çastin që dyshimi kthehet në vërtetësi.
– Ka meritë pa sukses, por jo sukses pa ndonjë meritë.
– Virtyti s’do të shkonte larg, po të mos e shoqëronte sedra.
– Mosbesimi ynë justifikon mashtrimin e tjetrit.
– Njerëzit japin këshilla të mira kur janë shumë të vjetër për të dhënë shembull të keq.
– Mirënjohja është forma më e këndshme e mirësjelljes.
– Në xhelozi ka më shumë egoizëm se dashuri.
– Fati korrigjon shumë gabime që arsyeja nuk mundet.
– Në fatkeqësitë e miqve tanë gjejmë gjithmonë diçka që nuk është krejt e papëlqyer për ne.
– Njerëzit e ndershëm të japin respekt për meritat e tua, të tjerët për pasurinë tënde.
– Nuk ka njeri të mençur, pa një grimcë çmendurie.
– Parapëlqejmë më shumë që të flitet keq për ne sesa të mos flitet fare.
– Nëse njerëzit nuk do të lajkatoheshin respektivisht nuk do të kishte më shoqëri.
– Egoizmi është mikluesi më i madh.
– Nëse një njeri nuk gjen paqe tek vetja e vet, më kot e kërkon gjetkë.
– Vuajtja që i duhet shkaktuar vetes për t’i qëndruar besnik njeriut që do, nuk vlen më shumë se një tradhti.
– Miku i vërtetë është më e mira e të mirave.
– Të gjithë ankohen se nuk kanë kujtesë, askush nuk ankohet se nuk ka gjykim.
– Modestia, që duket sikur i refuzon lëvdatat, në të vërtetë veçse i dëshiron më të rafinuara.
– Ndonëse njerëzit lëvdohen për veprat e tyre të mëdha, ato nuk janë aq shpesh fryt i një projekti sa ç’janë pasojë e rastësisë.
– Është e vështirë që dy persona që nuk duhen më, të grinden me të vërtetë.
– Gjëja më e vështirë për të gjetur në lidhjet dashurore është dashuria.
– Liria e të shprehurit është një prej të drejtave më të vlerësuara të njeriut.
– Ka një lloj dashurie të vetme, por me mijëra versione të ndryshme.
– Nuk kemi guximin të pohojmë se jemi pa të meta, e që armiqtë tanë nuk kanë cilësi, por na duhet fare pak që ta besojmë.
– Lajka është një monedhë e rreme që qarkullon vetëm falë sqimës sonë.
– Mendja lejon gjithherë që të nëpërkëmbet nga zemra.
– Veset janë pjesë përbërëse e virtyteve siç janë helmet pjesë përbërëse e ilaçeve.
– Shumë thonë që e përçmojnë pasurinë, por janë të paktë ata që ua japin të tjerëve.
– Kënaqësia e dashurisë është të dashurosh.
– Sinqeriteti gjendet në pak njerëz dhe shpeshherë është më i mprehti mashtrim, pasi disa tregohen të sinqertë që të fitojnë mirëbesimin dhe të depërtojnë në sekretet e tjetrit.
– Jemi të prirë të quajmë dëgjues të mirë vetëm ata që ndajnë të njëjtat mendime me ne.
– Shumë të rinj mendojnë se janë spontanë, ndërkohë që janë thjesht të paedukatë.
– Bashkë me këshillat nuk mund të jepet dhe urtia për t’i ndjekur.
– Nuk dëshirohet kurrë me zell gjëja që dëshirohet vetëm përmes arsyes.
– Gjejmë gjykim të matur vetëm në ata persona që e mendojnë si ne.
– Shpesh, dhimbja që na shkaktojnë të tjerët, nuk është aq e madhe sa ajo që ne i shkaktojmë vetes.
– Shakaxhiu do të gjendej shpesh në siklet po të mungonin budallenjtë.
– Në jetë na ndodh të gjendemi në rrethana, në të cilat, për t’ia dalë, duhet të jemi pak të çmendur.
– Zakonisht njerëzit lëvdojnë që të lëvdohen.
– Kush mendon se mund t’ia dalë pa botën, gënjehet shumë; por kush mendon se bota nuk mund t’ia dalë pa të, gënjehet shumë më tepër.
– Zilia jonë zgjat më shumë se lumturia e atyre që kemi zili.
– Është më mirë ta përqendrojmë mendjen tonë në përballimin e fatkeqësive që na kanë ndodhur sesa në parashikimin e fatkeqësive që mund të na ndodhin.
– Pasionet janë të vetmit oratorë që joshin gjithmonë.
– Nuk jemi kurrë aq të lumtur apo të palumtur sa ç’mendohet.
– Qëndrojmë më gjatë me dashurinë e parë, kur s’është e thjeshtë të gjejmë një të dytë.
– Për të njohur mirë gjërat, duhet të njohim mirë detajet e tyre; por duke qenë se detajet janë pothuajse të pafundme, njohuritë tona janë gjithmonë sipërfaqësore dhe jo pa të meta.
– Ndershmëria e femrave është shpesh kujdes ndaj emrit dhe rehatisë së tyre.
– Pak njerëz dinë të jenë të moshuar.
– Në dashuri, të mos duash tepër është një mjet i sigurt për t’u dashur nga partneri.
– Një person i sjellshëm mund të dashurohet si një i çmendur, por jo si një budalla.
– Mirëbesimi e ushqen bisedën më shumë se inteligjenca. /Ekonomia Online/