Ferid Selimi – Dekan i Programit për Media dhe Komunikim në UBT, ishte i ftuar në serinë e dytë të “Përballje Podcast”, ku temë diskutimi ishte rëndësia e edukimit medial në Kosovë.
Ai tha se edukimi medial është temë që po diskutohet shumë sidomos në dekadën e fundit, por shtoi se duhet pasur parasysh se kë e afekton më shumë kjo temë.
“Flitet viteve të fundit, sidomos në këtë dekadën e fundit edukim medial, edukim medial, edukim medial, lëndë shkollore, lëndë shkollore, po shtrohet pyetja për çfarë edukimi medial po flasim, a po flasim për edukim medial akademik, a po flasim për edukim medial profesional, a po flasim për edukim medial për nxënësit, për studentët, për mësimdhënësit apo për tërë popullatën?”.
“Në qoftë se i konsiderojmë media të gjitha këto tash edhe rrjetet sociale, ku ne e kemi mundësinë të postojmë mendimet, qëndrimet tonat, ngjarjet, informatat, ato që hyjnë pastaj edhe në dezinformata, atëherë kë duhet ta edukojmë? A t’i edukojmë trajnuesit që ata të edukojnë pastaj të tjerët apo të edukojmë studentët, nxënësit?”, pyeti Selimi.
Ai tutje shtoi se në arsimin e lartë ka mekanizma me të cilët studentët mësohen se si të punojnë sipas etikës dhe standardeve profesionale.
“Ne e bëjmë një edukim medial në arsimin e lartë. Pra, janë mekanizmat me të cilat ne i mësojmë ose i edukojmë ata që të punojnë profesionalisht, sipas etikës dhe standardeve profesionale. Ndoshta ne nuk i mësojmë që të trajnojnë ata të tjerët, po i mësojmë se si ata do të duhej të silleshin ose si ta bëjnë punën e vet në mënyrë profesionale”.
Selimi gjithashtu përmendi një dukuri e cila është shumë prezente së fundmi në shoqëri – ekspozimi i përmbajtjeve mediale te fëmijët.
“Por, si do ta edukojmë ne tërë popullatën kur fëmijët e marrin edukimin medial nga fëmijëria e hershme me ato telefona që ne ua japim, i furnizojmë me to pastaj i hapim llogari nëpër rrjete sociale dhe i kanë tabletët e tyre. Ata e bëjnë një edukim krejt të vetin medial”, shtoi ai.
Kjo seri e “Përballje Podcast” udhëhiqet nga Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafit dhe fokusohet në tema për dezinformimin, keqinformimin, edukimin medial dhe qëndrueshmërinë e mediave.