Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja ka folur pas fitores së madhe në udhëtim te Hungaria, duke u treguar i kënaqur me lojën e lojtarëve të tij dhe tri pikët.
Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar ndaj Hungarisë me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”, në kuadër të Grupit I.
Goli i vetëm në fitoren e kombëtares shqiptare u shënua nga Armando Broja në minutën e 80-të dhe kjo fitore e ka bërë të lumtur trajneri italian Reja.
“Jemi munduar që të bëjmë lojë agresive që në gjysmën e pjesës së parë. Duhej të konkretizonim në pjesën e parë, ndoshta teknikisht nuk ishim aq të zot, prisja më shumë por është e vështirë të luash ndaj një skuadre të atij niveli se janë të fortë”, ka thënë fillimisht Reja pas ndeshjes.
“Në pjesën e dytë ishim më mirë, u shfaq ndonjë rast apo ndonjë kundërsulm. Jemi të lumtur pasi të fitosh këtu nuk është e lehtë. Jemi aty, do të luajmë shanset që kemi dhe të shoshim nëse e arrijmë ëndrrën tonë [kualifikimin]”.
“Jam i kënaqur nga të gjithë pasi desha që lojtarët të ishin më të aftë teknikisht për të mbajtur topin. Pastaj bëhen llogaritë në bazë të kundërshtarit, desha përpara lojtarë që bëjnë presing. Çikalleshi bën trysni, dhe Uzuni gjithashtu. Ia dolëm shpesh të merrnim topin e kundërsulmonim. Jo gjithmonë, por bëmë në ndeshjen dhe ia dolëm”.
“Ky ekip ka ndryshuar mentalitetin, zakonisht ishim më të tërhequr, ndërsa tani më sulmues. Sot kishim tri raste për gol e duhej të konkretizonim më parë e të vuanim më pak deri në fund”.
“Kjo skuadër tani fillon të besojë, e bindur te mundësitë që ka, e bindur se mund të qëndrojmë në këtë nivel. Por, nuk duhet të na marrë koka erë, të punojmë, bëjmë sakrifica dhe me grupin ecet para”.
“Ne mund të humbasim ndeshje me Poloninë e Anglinë, por do të jetë e vështirë edhe për ta pasi jemi skuadër që ka konkretizim në lojën që ka, kemi mënyrë të luajturi. Jemi gati të plotësojmë edhe disa mangësi taktike kur ndodhin e përballojmë skuadra të forta. Kjo është skuadër që ka marrë pjekuri të mirë”, përfundoi trajneri i Shqipërisë. /Telegrafi/