Trajneri Edi Reja nuk e bën dramë humbjen në Poloni, pasi pranon se skuadra ka bërë një ndeshje të mirë, përveç disa gabimeve individuale.
Ai e drejtoi gishtin edhe nga gjyqtarët italianë, duke sjellë në vëmendje disa episode, sidomos penalltinë ndaj Rey Manajt që nuk u akordua.
“Për pjesën më të madhe të lojës ne e mbajtëm topin mjaft mirë, por me tre kartonë të verdhë pas 8 minutash, ishim të masakruar. Ishin disa episode që nuk i patëm në favor dhe madje u ndëshkuam”.
“Kemi një penallti që mund ta diskutojmë, që nuk u akordua në favorin tonë, ndërsa kundërshtarët u falën disa herë për kartona. Nuk dua t’i mohoj asgjë Polonisë, ashtu si e pranoj që gabuam në goditjet standarde, por edhe gjykimi çaloi sot”.
“Bëhet fjalë për ekuilibër dhe ne kujdesemi që ta ruajmë atë në fushë, duke sulmuar, por pa harruar mbrojtjen. Sot bëmë disa gabime, pasi shpesh tregohemi naivë, duke mbajtur topin gjatë, apo duke e humbur atë në zona të rrezikshme”.
“Ndonjëherë është më mirë të bëjmë të thjeshtën dhe të nxjerrim topin jashtë, për të mos rrezikuar, ashtu siç ndodhi në golin e tretë. Nuk jemi të mbaruar, pasi një humbje në Poloni edhe qëndron, por sot ndikuan edhe vendimet e gjyqtarëve, pasi mendoj se na u mohua një penallti, pati një rast të diskutueshëm me Cikalleshin në pjesën e parë, por edhe një faull në rastin e golit të tretë të tyre. Gjithsesi nuk jemi të mbaruar”, ka thënë trajneri.
Shqipëria në ndeshjen e radhës do të luajë pa emra si Rey Manaj, Elseid Hysaj dhe Keidi Bare. /Telegrafi/