Ambasadori i Turqisë në Suedi tha të hënën se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e çmimeve Nobel për shkak të çmimit të letërsisë që i jepet shkrimtarit Peter Handke, i cili mohon gjenocidin e ndodhur në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë viteve 1992-1995.
Hakki Emre Yunt i ka thënë agjencisë Anadolu se megjithëse ishte i ftuar në ceremoni, ai nuk do të marrë pjesë në të për shkak të admirimit të Handke për ish-liderin serb Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në vitin 2006 në gjykatën ndërkombëtare në Hagë në gjyq për krime lufte dhe gjenocid.
Ndërkohë, edhe ambasada e Shqipërisë në Stokholm njoftoi se ambasadori i vendit nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e caktuar për 10 dhjetor për të njëjtën arsye.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit.
Ai ka konfirmuar se ambasadorja Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë ngjarje, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit.
Ndryshe, të dielën, Turqia “ashpër” dënoi dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi 2019 për Handke.
Siç kujton mediumi në fjalë, ai pretendoi se boshnjakët myslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk besonte se serbët kishin kryer gjenocid në Srebrenicë.
Handke gjithashtu vizitoi Millosheviçin në burg dhe u përpoq të dëshmojë në favor të tij.
“Unë jam këtu për Jugosllavinë, për Serbinë, për Slobodan Millosheviqin”, kishte thënë Handke në një eulogji të vitit 2006 për Millosheviqin. /Telegrafi/