Site icon Telegrafi

Edhe katër raste të reja me coronavirus në Kosovë, tri nga Malisheva një nga Podujeva

Këtë të diel, edhe katër raste të reja janë konfirmuar me coronavirus, duke çuar në nëntë numrin e të prekurve në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Të nderuar qytetarë, Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus). Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.

Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.

Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ju faleminderit për mirëkuptim”, ka thënë Vitia.

Të premten u raportuan rastet e para në Klinë dhe Viti. Pastaj të shtunën në mbrëmje dolën edhe rastet e reja në Komunën e Malishevës. Të tri këto qytete janë në karantinë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, vazhdojnë apelin që qytetarët për kujdes të shtuar dhe higjienë të duhur si pjesë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Po ashtu kryeministri Albin Kurti, ka bërë thirrje që të mos ketë frikë nga përhapja e coronavirusit.

Kurti, përmes një statusi në Facebook, ka treguar edhe si duhet mbrojtur nga infektimi potencial, por edhe ka thënë se ata që kanë simptoma t’i shmangen vizitave në spital dhe të telefonojnë në në numrin 038 200 80 800.

“Pa frikë e me kujdes të shtuar! Nëse keni simptoma, mos shkoni në spital! Telefononi në: 038 200 80 800”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ditë më parë ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, në të cilën ka marrë vendim për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version