Telegrafi

E trajtuan keq dhe e larguan, Braithwaite synon të bëhet pronar dhe të blejë aksionet e Espanyolit

Futbolli merr shumë kthesa, dhe nëse jo, iu tregon Martin Braithwaite, i cili nga largimi nga Espanyol si lojtar i lirë më pak se një muaj më parë, është transferuar në Brazil tek Gremio, aty ku po bën llogaritë për t’u bërë aksionari më i madh i Espanyolit.

Pas promovimit të Espanyolit në La Liga me sulmuesin danez si lojtar kyç me 22 gola dhe dy asistime në 39 ndeshje, Braithwaite priti deri më 15 korrik që klauzola e tij të skadonte dhe të mbetej i lirë.

Siç u pa në ditën kur siguruan promovimin në elitë, marrëdhënia mes ish-lojtarit të Barcelonës dhe bordit të Espanyolit nuk ishte më e mira.

“Tani duhet të kënaqemi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Nuk di asgjë, do të flas këto ditë. Një vit më parë klubi më bëri një ofertë për të rinovuar, por ishte mungesë respekti”.

“Kjo pasi oferta që kam pasur një vit më parë tregon se ata nuk më besojnë mua aspak”, ka thënë Braithwaite pas festës së promovimit.

Futbolli, një ‘hobi’ për një milioner

Ndryshe nga shumica e futbollistëve, jetesa financiare e të cilëve varet nga paga që u sjell loja e bukur, realiteti i Braithwaite është shumë ndryshe.

Martin është pronar i një kompanie biznesi të pasurive të patundshme në SHBA, një restoranti në Gavá dhe një linje veshjesh, të cilat kanë bërë që ai të shfaqet në listën e ‘Forbes’ si një nga futbollistët më të pasur në botë.

Për të njëjtën arsye, Braithwaite dëshiron të largojë pronarët aktualë të Espanyolit, të cilët nuk e lanë të largohej verën e kaluar në kërkim të një klubi në La Liga./Telegrafi/