Zlatan Ibrahimovic mendon se “tashmë është e shkruar” që Lionel Messi ta fitojë Kupën e Botës me Argjentinën në Katar.
Skuadra jugamerikane është kualifikuar në gjysmëfinale, ku sonte (e martë, 13 dhjetor) me fillim në ora 20:00 do të përballjet me Kroacinë.
Kampionati i sivjetmë Botëror ka qenë përplot befasi me favoritët, si Gjermania, Belgjika, Spanja e Brazili, janë larguar shumë më herët sesa është pritur.
Edhe pse ka qenë një turne i paparashikueshëm, Ibrahimovic është i bindur se tashmë e di se kush do ta fitojë Kupën në fund.
“Mendoj se tashmë është e shkruar se kush do ta fitojë dhe e dini për kë e kam fjalën. Mendoj se Messi do ta ngrejë trofeun, tashmë është e shkruar”, u ka thënë sulmuesi gazetarëve në Dubai, ku ndodhet me Milanin.
Ibrahimovic dhe Messi kanë luajtur bashkë te Barcelona në sezonin 2009/2010 duke e fituar La Ligan, Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Botës për Klube. /Telegrafi/