Site icon Telegrafi

Mishin e Brazilit e shiti në Shqipëri për të Kosovës, AUVK ia ndalon eksportin kompanisë “Apetiti” Sh.P.K

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti ‘Sh.P.K’, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.

Lajmin e konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi.

Ai tha se vendimi ka ardhur pasi u konfirmua se kompania në fjalë ka blerë mish nga Brazili dhe e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.

“Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Do e mbështesim njëra tjetrën me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara,” shton Thaçi.

Ai theksoi se secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj.

Lexo po ashtu Peci: Në rastin e mishit të Brazilit, dyshohet se është i përfshirë edhe një inspektor i AUV-it

“Si autoritet premtojmë transparencë të plotë me të dhënat pas kryerjes se gjurmimit. Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, u deklaroi Thaçi.

Rastin e mishit fillimisht e kishte investiguar emisioni “Stop” në Tv Klan.

Ata kishin porositur 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit’. Sasia e filetos së viçit shkoi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit.

Po ashtu, sipas tyre, ‘Apetiti’, kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto viçi./Telegrafi/

Exit mobile version