Telegrafi

“E Majta” dorëzon në Kuvend deklaratën për njohjen e Palestinës nga Maqedonia e Veriut

Grupi parlamentar i “Së Majtës” sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë e dorëzoi deklaratën për njohjen e Palestinës.

“Me këtë deklaratë, ne shprehim edhe një herë mbështetjen tonë për të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje si një e drejtë themelore e njeriut e garantuar nga e drejta ndërkombëtare dhe një parim udhëzues për të gjitha kombet që luftojnë për liri dhe pavarësi”, informoi deputeti dhe zëdhënësi i partisë, Amar Mecinoviq.

Ai theksoi se populli palestinez ka qenë viktimë e regjimit sionist për dekada të tëra, i cili po kryen kolonializëm sistematik dhe spastrim etnik.

“Njohja e pavarësisë së Palestinës është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të padrejtësive historike që i janë shkaktuar këtij populli. Politikat që regjimi sionist po zbaton kundër palestinezëve nuk janë asgjë më pak se Aparteidi.

Getoizimi dhe konfiskimi sistematik i tokave palestineze janë vetëm një pjesë e veprimeve që thellojnë pushtimin. Gjenocid po ndodh kundër popullit palestinez në Gaza pikërisht në këtë moment. Dhuna e paimagjinueshme, privimi i kushteve elementare të jetesës, bombardimi i shtëpive, vrasja e civilëve, duke përfshirë fëmijë, janë dëshmi e qartë e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, theksoi Mecinoviq.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa për të ndalur këto akte barbare dhe për të garantuar drejtësi për palestinezët./Telegrafi/