Bayern Munich u mposht të mërkurën në Madrid nga Atletico, në një sfidë ku bavarezët krijuan shumë lojë e raste, por nuk e gjetën golin.
Një nga arsyet që goli nuk doli në dritë ishte edhe mungesa e sulmuesit Thomas Muller, i cili e nisi lojën nga banka, për habinë e mediave dhe tifozëve.
Autor i 8 golave në Ligën e Kampionëve këtë sezon (31 gola në total këtë sezon), Muller u aktivizua 20 minuta para fundit, por nuk mjaftoi, ndërsa pas ndeshjes nuk e fshehu habinë për vendimin e Guardiolas.
“Unë mundohem ta trajtoj vendimin e trajnerit në mënyrë profesionale. Nuk jam i lumtur, por rëndësi ka të kuptojmë çfarë është e rëndësishme për skuadrën. Nëse çdo lojtar që ulet në stol e humbet qetësinë, atëherë sezoni merr fund me dështim”.
Gjithsesi, kritikat ndaj Guardiolas vërshuan nga të gjitha anët, si nga tifozët nëpër rrjetet sociale, ashtu edhe nga mediat apo specialistët e futbollit.
I zhgënjyer ish-trajneri i Bayernit, Ottmar Hitzfeld. “Muller është për Bayernin si Messi për Barcelonën. Është thuajse e pamundur që këtë lojtarë të ulen në stol në ndeshje të tilla”.
Kritik edhe anglezi Ian Wright. “Gjithçka vjen nga fakti se Guardiola do të largohet dhe nga zyrtarizimi i këtij lajmi që në janar. Është një gabim i madh, tani duket sikur Guardiola nuk e vret më mendjen çfarë ndodh te Bayerni”.