Në mbrëmjen e të premtes, shtëpia e famshme e Big Brother VIP Kosova u përball me një tjetër lamtumirë.
Këngëtarja e talentuar Monika Salihu, e cila është e bija e legjendës së boksit Azis Salihu, u eliminua nga spektakli, pasi nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave nga televotimi i javës.
Për herë të parë në këtë edicion, të gjithë banorët e shtëpisë ishin të nominuar për eliminim, dhe fati ra mbi Monikën.
E njohur për hite të tilla si “Çika e boksierit” dhe “Tip Narcizoid”, Monika Salihu tregoi gjatë qëndrimit të saj prej një muaji e gjysmë në BBVK se është një figurë e pjekur dhe e edukuar.
Ajo u shqua për sjelljen e saj të qetë dhe të menduar, duke u bërë një nga gratë model në shtëpi që të tjerët mund t’i referoheshin për qëndrimet e saj të urta.
Pas eliminimit të saj, Salihu shprehu hapur ndjenjat e saj në studio duke thënë: “Jam e lumtur që po dal, nuk jam për atë lojë. Qëllimi ka qenë që të rikthehem në skenë pas 12 vitesh”.
Duket se për këngëtaren, qëndrimi në Big Brother ka qenë më shumë një mundësi për të rindërtuar imazhin e saj dhe për të qenë sërish në vëmendje të publikut, sesa një garë për të fituar titullin e banorit VIP.
Monika Salihu, edhe pse largohet nga BBVK, ka lënë një mbresë të fortë te shikuesit dhe ka treguar se edhe në një mjedis konkurrues, mund të ruash dinjitetin dhe të qëndrosh besnike ndaj vlerave të tua.
Fansat e saj, të cilët e kanë mbështetur gjatë gjithë kohës, tanimë presin me padurim të shohin se çfarë do të sjellë e ardhmja për këtë artiste të rikthyer në skenën muzikore. /Telegrafi/