Kanita Suma është një prej artisteve të reja me zërin më të veçantë.
Talenti i saj u vu në pah që në moshë të hershme, kur u bë pjesë e spektaklit “X Factor Albania 2”, ku po atë vit u bë përjashtim për pjesëmarrjen e saj edhe pse ishte në moshë shumë më të re se konkurrentët e tjerë.
Kanita me kalimin e viteve ka ndërtuar një karrierë të suksesshme muzikore, me shumë këngë që janë shndërruar në hite e që pëlqehen nga publiku.
Por po të shohësh me vëmendje, ka diçka të çuditshme në këngët e saj, pasi pothuajse çdo këngë e saj është më e dëgjuar dhe e klikuar në versionin “remix” se sa në atë origjinal.
Megjithëse te shumë artistë ndodh e kundërta, që këngët origjinale pëlqehen dhe dëgjohen më shumë se ato që ripërpunohen më pastaj – por ky nuk duket rasti i Kanitës.
Në vazhdim ju sjellim disa prej këngëve të artistes nga Maqedonia, që kanë pasur më shumë sukses në versionin “remix”, se sa në atë origjinal.
S’jemi ne
Me këngën “S’jemi ne”, Kanita u paraqit në festivalin “Kënga Magjike”. Një baladë e punuar bukur dhe lehtë u mirëprit jashtë mase mirë nga publiku, por mesa duket versioni ‘remix’ i saj i ka pëlqyer publikut më shumë.
Versioni i N.O.A.H Remix i publikuar në kanalin YouTube numëron plot 9.5 milionë klikime, përkundër versionit origjinal që ka afro pesë milionë.
Don’t let go
Në vitin 2017, Kanita kishte publikuar këngën “Don’t let go” nën përpjekjen për të depërtuar në tregun amerikan’, ndërsa në YouTube kjo këngë numëron afërsisht 255 mijë klikime.
Një shifër kjo e cila është larg dëgjueshmërisë që ka pasur versioni ‘remix’ i saj i punuar nga Gon Haziri, që ka arritur një shifër klikimesh prej 56 milionë në kanalin YouTube.
Ajo ka gjithashtu një version tjetër ‘remix’ të punuar për “Cat Music”, e që është po prapë më i klikuar dhe dëgjuar se versioni origjinal, me gjashtë milionë klikime.
Fllad
Edhe kënga e saj “Fllad” e publikuar në janar të vitit 2020, pati një sukses më të madh në versionin e ripërpunuar ‘remix’ se sa në atë origjinal.
Versioni ‘remix’ i punuar nga Iulian Florea numëron mbi 3.3 milionë klikime, teksa ai origjinal afro 1.6 milion.
Pavarësisht interesimit, versionet origjinale të këngëve të interpretuara nga Kanita mbeten brumi më me vlerë që nxjerr në pah talentin e saj si artiste. /Telegrafi/