Nga sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e rregullta parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike kjo fushatë do të jetë e ashpër.
Besa Luzha, njohëse e zhvillimeve politike tha për Telegrafin se partia në pushtet (LVV) është e interesuar që të rifitojë mandatin, ndërkaq partitë opozitare janë të interesuara që t’ia pamundësojnë arritjen e këtij synimi.
“Pra që në start interesat e kundërta e ashpërsojnë betejën. Gjuha e ashpër e ka karakterizu diskursin që në momentin e shpalljes së datës së zgjedhjeve, me epitete ekstreme si ‘hajna’, ‘tradhtarë’, ‘të padijshëm’, ‘anti amerikanë’, etj, që personalisht nuk e preferoj.
Do të preferoja që të debatohen veprimet konkrete dhe politikat në fusha të caktuara me konstruktivitet, çka është premtuar, çka është realizuar, pse nuk është realizuar dhe çka është prioritet. Në aspektin teorik krejt mundësitë janë të hapura. Mund të realizohet synimi i LVV, që të rifitojë mandatin vetëm, ose të dalin të parët”, ka vlerësuar Luzha.
Ndërsa, Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus (D+), thotë se për herë të parë po mbahen zgjedhje të rregullta.
Siç thotë ai, një avantazh i zakonshëm për partitë opozitare është se ato shpesh janë më të përgatitura sesa partitë në pushtet.
“Për herë të parë në Kosovë po mbahen zgjedhje të rregullta, gjë që ka krijuar më shumë hapësirë për partitë politike dhe kandidatët të përgatiten për fushatën zgjedhore. Një avantazh i zakonshëm për partitë opozitare është se ato shpesh janë më të përgatitura sesa partia në pushtet, veçanërisht në hartimin e programit politik dhe organizimin e fushatës. Në këto zgjedhje, partitë opozitare kanë kaluar nëpër reforma të brendshme, duke zgjedhur kryetarë të rinj dhe duke përfshirë figura të reja që nuk kanë qenë të angazhuara më parë në proceset zgjedhore”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, partia në pushtet siç thekson Krasniqi po e bazon fushatën kryesisht në promovimin e arritjeve të saj.
“Duke theksuar projektet e përfunduara dhe duke nisur projekte të reja gjatë fushatës me qëllim të rritjes së përkrahjes publike. Megjithatë, janë evidentuar abuzime me burimet publike, të cilat po përdoren për qëllime zgjedhore, si dhe rritje të ndihmave sociale për kategori të cenueshme për të siguruar vota”.
Po ashtu ai potencoi se polarizimi politik mbetet i madh dhe thellohet veçanërisht kur në pushtet ndodhen parti populiste, të cilat shpesh shfrytëzojnë elemente nacionaliste si mjete efikase për rritjen e mbështetjes popullore. /Telegrafi/