Site icon Telegrafi

E ardhmja elektrike, Norvegjia drejt rrugës për të qenë e para me vetëm EV

Norvegjia është lider botëror kur bëhet fjalë për përdorimin e veturave elektrike, të cilat vitin e kaluar përbënin nëntë nga 10 automjete të reja të shitura në vend.

A mund të mësojnë kombet e tjera prej saj?

Për më shumë se 75 vjet, shitësi i veturave me bazë në Oslo, Harald A Moller, ka importuar Volkswagen, por në fillim të vitit 2024 i dha lamtumirën veturave me karburante.

“Ne mendojmë se është e gabuar të këshillosh një klient që vjen këtu sot për të blerë një makinë ICE, sepse e ardhmja është elektrike”, tha shefi ekzekutiv Ulf Tore Hekneby.

Bëhet e ditur se në rrugët e kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, veturat me bateri nuk janë një risi, ato janë normë.

Kombi nordik prej 5.5 milionë banorësh ka adoptuar EV-të më shpejt se çdo vend tjetër dhe është në prag për t’u bërë i pari që do të heqë gradualisht shitjen e veturave të reja me lëndë djegëse.

Vitin e kaluar, numri i veturave elektrike në rrugët e Norvegjisë tejkaloi numrin e veturave me benzinë ​​për herë të parë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndërsa kur përfshihen automjetet me naftë, veturat elektrike përbëjnë pothuajse një të tretën e të gjithave në rrugët norvegjeze.

Dhe 88.9% e veturave të reja të shitura në vend vitin e kaluar ishin EV, nga 82.4% në 2023, tregojnë të dhënat nga Federata Norvegjeze Rrugore (OFV).

Në disa muaj shitjet e veturave plotësisht elektrike shkuan deri në 98%, pasi blerjet e atyre me benzinë ose naftë pothuajse dështuan.

Në të kundërt, në Mbretërinë e Bashkuar veturat elektrike përbënin vetëm 20% të regjistrimeve të veturave të reja në 2024.

Në SHBA, shifra ishte vetëm 8%.

Pra, Norvegjia është padyshim një pioniere e EV, por ky revolucion elektrik nuk ka filluar tani.

“Ky filloi tashmë në vitet 1990”, tha Christina Bu, sekretarja e përgjithshme e Shoqatës Norvegjeze të EV.

Mbështetja për automjetet elektrike u prezantua fillimisht për të ndihmuar dy prodhuesit norvegjezë të EV-ve të hershme, Buddy (më parë Kewet) dhe TH!NK City.

Ndryshe, edhe pse është një prodhues i madh i naftës dhe gazit, Norvegjia synon që të gjitha veturat e reja të shitura të kenë “zero emetim”, duke filluar nga 2025.

Për krahasim, Bashkimi Evropian planifikon të ndalojë shitjet e veturave të reja me lëndë djegëse fosile deri në vitin 2035 dhe qeveria aktuale e Mbretërisë së Bashkuar dëshiron të ndalojë shitjen e tyre në vitin 2030.

Shitja e veturave me benzinë ​​dhe naftë lejohet ende në Norvegji.

Por pak janë ata që zgjedhin t’i blejnë ato.

Në stacionet norvegjeze të benzinës, shumë pompa të karburantit janë zëvendësuar nga pika të karikimit të shpejtë dhe në të gjithë Norvegjinë tani ka më shumë se 27,000 karikues publikë.

Veturat më të shitura vitin e kaluar ishin ato të Tesla, VW dhe Toyota. /Telegrafi/

Exit mobile version