Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka mbyllur lokalin e ushqimeve të shpejta “On Top Food” në Mitrovicë, pasi aty dyshohet se u helmuan 30 persona.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi, ka konfirmuar për Telegrafin se pacientët pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, janë liruar për në shtëpi.
Ai tutje ka thënë se gjendja e pacientëve është duke u monitoruar, ndërsa ka shtuar se ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konform të gjeturave përfundimtare.
“Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe nga duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë përgatitur sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike”, ka thënë Thaçi.
“Janë vizituar përsëri pacientët për të parë gjendjen shëndetësore. Të gjithë pacientët deri më tani (30) që kanë marrë trajtim mjekësorë janë liruar për shtëpi. Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacientëve. Ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konform të gjeturave përfundimtare, raporteve të analizave laboratorike”.
Ai tutje ka bërë ditur se po vazhdojnë punën në terren bashkë me mekanizmat tjerë shtetërorë, për të marrë veprimet e nevojshme për mbrojtjeje të shëndetit të qytetarëve. /Telegrafi/