Komisioneri Olivér Várhelyi, zyrtari më i lartë ekzekutiv i politikës së Zgjerimit të BE-së, do t’i nënshtrohet një hetimi të brendshëm të BE-së, mbi pretendimet për favorizimin e Serbisë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut.
Deputeti holandez i S&D, Thijs Reuten, i cili ndihmoi në hartimin e raportit të parlamentit, kritikoi komisionerin, raporton euroactiv.
“Kemi parë këtë komisioner në të vërtetë duke mos iu përgjigjur nismave secesioniste, nga z. Dodik për shembull, në Bosnje. Duke mos iu përgjigjur në mënyrë adekuate veprimeve të zotit Vuçiq, duke destabilizuar situatën në Kosovë dhe gjithashtu në Bosnje. Pra, kjo na shqetëson. Kjo është arsyeja pse duam të hetojmë, nëse ai po e kryen detyrën e tij në përputhje me kodin e sjelljes, sepse kodi i sjelljes thotë që komisioneri duhet të përfaqësojë interesat e Unionit në tërësi, dhe jo agjendën e disa shteteve anëtare”, tha Reuten, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht se ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE, Serbia ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut.
Në dhjetor 2021, Komisioni i BE-së hyri në bisedimet e anëtarësimit me Beogradin, pavarësisht tensioneve të pazgjidhura të Serbisë me Kosovën.
Varhelyi pati thënë atëherë se “Serbia po bën një hap tjetër shumë të rëndësishëm përpara për t’ju bashkuar Bashkimit Evropian”.
BE-ja, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë qenë aktive, por pa sukses, duke i bërë presion presidentit nacionalist serb Aleksandar Vuçiq për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së dhe NATO-s kundër Rusisë. Por, ai i cilësoi ato si një ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të Serbisë.
Várhelyi, shtetas hungarez dhe aleat i kryeministrit nacionalist të vendit, Viktor Orban, dyshohet se i ka ‘mbajtur anën’ Serbisë si në mosmarrëveshjen e saj me Kosovën, ashtu edhe në hezitimin e saj për të sanksionuar Rusinë në mënyrë që të rreshtohet me interesat e Orbanit.
Ligjvënësit e BE-së janë gjithashtu të shqetësuar për qëndrimin e Varhelyi ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës me mendje separatiste, Milorad Dodik. /Telegrafi/