Site icon Telegrafi

Dyshohet që zjarri në “Emshir” ishte i qëllimshëm, banorët thonë se panë tmerrin

13 persona kërkuan ndihmë pasi ra zjarri në një ndërtesë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Zjarri u shkaktua pas djegies së dy veturave në garazhin e kësaj ndërtese kurse televizioni mëson se njërës nga to zjarri i është vënë qëllimshëm.

Tym i madh dilte nga garazha, sa që ishte e pamundur që banorët të zbritnin nga kjo ndërtesë në lagjen Emshir të Prishtinës, pasi dy vetura kishin marrë flakë.

Për t’i shpëtuar asfiksimit, atyre vazhdimisht iu hidhej ujë nga toka.

Njëkohësisht, thyheshin edhe xhamat që tymi mos të shkonte tërësisht lartë.

Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit bënë maksimumin që banorët e ngujuar t’i nxjerrin, e ata që ishin në katet më poshtë nxirreshin në këtë formë.

Ata që ishin më lartë me shkallët e makinerive të tyre.

E ata krejt në katet lart prisnin ndihmën e zjarrfikësve që përkundër tymit përdoronin shkallët e banesës.

Lexo po ashtu Dhjetëra persona kërkojnë ndihmë për evakuim dhe trajtim mjekësor, policia jep detaje për zjarrin në Emshir

Pas afro 3 orë gjendja u qetësua, kurse në vendin e ngjarjes doli edhe kryetari i kryeqytetit Përparim Rama ku së bashku me policinë edhe zjarrfikësit thanë se asnjë person nuk është lënduar seriozisht ndërsa 13 kanë marrë ndihmë mjekësore.

Këtë e konfirmuan edhe nga QKUK këtë të premte, që thanë se të gjithë janë liruar pasi kanë pas probleme të lehta me frymëmarrje.

Veturat e djegura një ditë pas janë lokalizuar nga policia kurse banorët provonin ta pastronin ndërtesën e tyre, njëkohësisht duke treguar tmerrin që e përjetuan e tregojnë vetë banorët.

“Në mesin e tyre është edhe nipi jem i lindur 4 muaj, fal intervenimit të policisë edhe njësisë së Zjarrfikësve, kanë arrit që përmes ballkonit të e nxjerrin”, ka Hysen Cakaj, banor.

Nga Policia e Kosovës thanë se ende janë duke hetuar shkaqet e zjarrit, dhe nuk mund të japin informacione më shumë në këtë fazë.

Megjithatë, televizioni mëson se dyshohet që zjarri në veturën Golf, ishte i qëllimshëm që e solli deri në këtë gjendje.

Kjo pasi pronares së veturës i është vënë flaka nga një burrë që jeton jashtë Kosovës pas disa mosmarrëveshjeve.

Të njëjtës mëson televizioni se i janë djegur edhe dy herë me parë veturat./Dukagjini/

Exit mobile version