Dy vrasje e rreth pesë plagosje kanë ndodhur vetëm gjatë muajit mars në Kosovë. Njohësi i çështjeve të sigurisë konsideron se të gjitha vrasjet e plagosjet po ndodhin me armë pa leje teksa sociologu konsideron se mosndëshkueshmëria e krimeve e shkaqet socio-ekonomike ndikojnë në këtë dukuri.
Dy të plagosur në Prishtinë, plagosje në Hajvali, vritet një person në Podujevë, janë vetëm tre titujt e tri ngjarjeve të tri ditëve të fundit në Kosovë.
E vetëm gjatë muajit mars që nuk ka përfunduar ende, janë vrarë dy persona e janë plagosur të paktën 5 të tjerë.
Ky numër vrasjesh, e plagosjesh të shpeshta po konsiderohet shqetësues e faktorët të shumtë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi thotë se numri i vrasjeve në Kosovë krahasuar me rajonin është i vogël, megjithatë armët pa leje që janë të shumta në qarkullim në Kosovë i konsideron faktor në këtë dukuri.
Ai fton Ministrinë e Brendshme që të jenë të shpejt në një strategji të re lidhur me këtë çështje.
“Duhet menduar përsëri një strategji, me qëllim që ky numër kaq i madh i armëve ilegale dhe mjeteve të rrezikshme të vihen nën kontroll, për ato çka mund të legalizohen të legalizohen, ndërsa pjesa tjetër të dorëzohet, pasi që shumica e këtyre vrasjeve po vijnë nga armët ilegale”, ka thënë Ibishi.
Sociologu Jeton Brajshori thotë se shumica e kryerësve të këtyre veprave janë recidivistë, teksa përmend shkaqet socio-ekonomike që shtyjnë në vepra të tilla.
“Institucionet duhet ta kryejnë detyrën e tyre si duhet mos ta neglizhojnë, për arsye se po kemi raste të tilla të vrasjeve. Arsye tjetër që ndikon në vrasje janë edhe shkaqet socio-ekonomike, fatkeqësisht tek në kemi një numër të madh të papunësh, dhe kur e kemi statusin material më të ulët, dhe kemi problem elementare për ekzistencë, atëherë edhe emocionet na punojnë ndryshe dhe në këtë mënyrë edhe ky është indikatori”, ka thënë Brajshori.
Përndryshe sipas statistikave të policisë, çdo vit konfiskohen mbi 1000 deri 1500 armë pa leje nga duart e qytetarëve të Kosovës.