Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, së fundmi ka organizuar një festë në nder të 10-vjetorit të karrierës së saj.
Ajo ishte të premten prezente në Los Angeles në atë që u organizua si para-ndejë e ceremonisë së madhe të ndarjes së çmimeve, ‘Grammy Awards 2023’.
Mes yjeve të shumtë që kishte ftuar në këtë ndejë, prezente ishte edhe homologia e saj, artistja tjetër shqiptare me famë botërore – Bebe Rexha.
Kjo e fundit u duk shumë elegante e veshur me një fustan të zi të shkurtër, i cili vinte në pah linjat e saj të kolme të trupit.
Autorja e hitit “I’m a mess” u pa në mbrëmje e shoqëruar nga i dashuri i saj, drejtori i fotografisë Keyan Safyari.
Ndërkohë, Rita dukej gjithashtu tejet atraktive dhe provokuese e veshur me një fustan transparent, me një shall me pupla të hedhur rreth krahëve.
Ajo mbështetej nga dashuria e jetës së saj, regjisori Taika Waititi – me të cilin u martua vitin e kaluar.
Në një moment, dy këngëtaret shqiptare kanë pozuar me partnerët e tyre në një fotografi të përbashkët.
Si rrallë herë, fansat patën mundësinë që të shohin dy dhëndurët e shqiptarëve bashkë në një paraqitje.
Përndryshe, ceremonia e madhe e ndarjes së çmimeve, ‘Grammy Awards 2023’ do të jetë emocionuese sidomos për Bebe Rexhën.
Kjo pasi artistja shqiptare është nominuar për një nga çmimet e mbrëmjes, përkatësisht në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për bashkëpunimin e saj shumë të suksesshëm “I’m Good (Blue)” me DJ David Guettan. /Telegrafi/