Site icon Telegrafi

Dukagjini kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Malisheva

Dukagjini ka fituar me rezultat 2-1 në udhëtim te Malisheva në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Klinasit i janë kthyer fitores pas katër ndeshje (tri humbje, një barazim), pasi kanë fituar në një terren të vështirë si “Liman Gegaj”.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, por ishin vetëm mysafirët që gjeten golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 44-të me anë të ukrainasit Vladyslav Khomutov, i cili shënoi për 0-1.

Në pjesën e dytë, përsëri loja ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që gjeten rrjetën nga një herë.

Të parët shënuan vendasit me anë të Faruk Bihorac (44’) për 1-1, por mysafirët u kthyen në lojë me anë të Marclei Santos (65’), i cili shënoi për 2-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Dukagjini e sheh veten në pozitën e pestë me 29 pikë, teksa Malisheva renditet e teta me 25 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Dukagjini e pret Drenicën, ndërsa Malisheva udhëton te Prishtina. /Telegrafi/

Exit mobile version