Bujar Dugolli, ish-kryetar i Unionit Studentor të Universitetit të Prishtinës, për bombardimet e NATO-s në Kosovë e Serbi, më 24 mars të vitit 1999, tha se operacioni ushtarak i bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi vije pas dështimit të procesit të bisedimeve që ishte sponsorizuar nga Grupi i Kontaktit që mbaheshin në Rambuje dhe në Paris.
Ai më tej vuri në pah qëndrimit të delegacionit shqiptar në Rambuje që i thotë po marrëveshjes ndërkombëtare për paqe e vetëqeverisje në Kosovë, ngjarje që kishte ndodhur më 18 mars të vitit 1999, derisa delegacioni serb kishte refuzuar.
“Delegacioni ndërkombëtar na kishte paralajmëruar gjatë takimeve se në rast se pala shqiptare është pro procesit politik, atëherë presioni e pasojat do të bien mbi palën jugosllave”, tha Dugolli për RTK-në.
Ai më tej sqaroi se para Konferencës së Rambujesë kishte ndodhur edhe një ngjarje në OKB, ku ishte aprovuar një rezolutë në të cilën qartësohej se në rast të refuzimit të marrëveshjes, ku do të mundësohej vazhdimi i luftës në Kosovë, e që do të përhapej në gjithë rajonin, parashihej intervenimi i forcave ndërkombëtare. Për këtë rezolutë ishte pajtuar edhe Rusia.
“Ne kemi ditur se NATO-ja do të intervenonte, o me paqe o me luftë. Prandaj ne kemi ditur se NATO do të vepronte mbi këto parime, prandaj ishim pro marrëveshjes ndërkombëtare”, tha Dugolli.