Telegrafi

Drilon Hajrizi, basketbollisti i vitit 2012

Komisioni për Zgjedhjen e sportistëve më të mirë për vitin 2012, në një konkurrencë të fortë vendosi që epiteti i lojtarit më të mirë t’i takojë Hajrizit.

“Jam i lumtur që kam fituar këtë çmim. Ky është shpërblim personal, por ky çmim është arritur me ndihmën e bashkëlojtarëve të mi”.

“Trepça në pjesën e parë të garave nuk ka shfaqur formë të mirë, por jam i bindur se në pjesën e dytë të garave, Trepça do të kthehet në nivelin e vet dhe sërish do ta ketë fjalën kryesore në basketbollin e Kosovës”, ka thënë Hajrizi për Kosovapress.

Ndërkaq, basketbollistja më e mirë për këtë vit është zgjedhur Valbona Bytyqi (KB Penza). Klubi më i mirë në konkurrencën e meshkujve është shpallur kampioni në fuqi, KB Trepça, kurse te femrat KB Penza. Trajneri më i mirë në konkurrencën e meshkujve është zgjedhur ish-trajneri i Trepçës, Neven Plantak, kurse te femrat Fabian Xhuka.

FBK me mirënjohje ka nderuar basketbollistët Dardan Berisha, Erion Kastrati, Gëzim Morina dhe Krenar Spahiun për kontributin e dhënë në ndërkombëtarizimin e basketbollit. FBK ka ndarë mirënjohje edhe për të gjithë ata që ndihmuan zhvillimin e basketbollit në vitin që po e lëmë prapa.

Ja dhjetë më të mirët për vitin 2012: Hekuran Binxhija (Sigal Prishtina), Granit Rugova (Sigal Prishtina), Fahri Breca (Sigal Prishtina), Fisnik Rugova (Sigal Prishtina), Edmond Azemi (Sigal Prishtina), Samir Shaptahoviq (Peja), Imer Tahiri (Trepça), Blerim Mazreku (Peja), Besnik Azemi (Trepça) dhe Drilon Hajrizi (Trepça). /Telegrafi/