Mësimdhënësja Gjylfidane Morina e shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë, u arrestua sot lidhur me dyshimin për mashtrime me subvencione në vlerë 30 mijë euro.
Për këtë rast drejtori i kësaj shkolle, Sylë Peli tha për Telegrafin se është njoftuar përmes mediave dhe Drejtorisë së Arsimit në Pejë.
“Jemi njoftuar përmes mediave dhe Drejtorisë së Arsimit që mësuesja në fjalë është arrestuar dhe është suspenduar për 6 muaj, më shumë nuk kam informata”, tha Peli.
Sa i përket zëvendësimit të kësaj mësimdhënëse, Peli shtoi se kjo është kompetencë e Drejtorisë së Arsimit.
“Drejtoria e Arsimit merret me çështjen e zëvendësimit, besoj që zëvendësimi do të bëhet nesër ose pasnesër. Nuk kemi informata shtesë për arsyet e arrestimit”, tha ai.
Drejtori i shkollës “Xhemajl Kada” shtoi se mësimdhënësja Morina ka qenë mësuese e një paralele për komunitetin RAE.
“Ajo ka qenë mësuese e një paralele që ka qenë e ndarë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian mësim intensiv është quajtur ajo paralele. Ajo e ka kryer punën e saj, për pjesën tjetër private ne nuk e dimë çfarë ka bërë ajo, është problem i saj”, tha Peli.
Ndryshe kujtojmë se në maj të vitit 2022, e njëjta mësimdhënëse ishte kritikuar shumë lidhur me festën e abetares, ku 10 nxënës të komunitetit RAE ishin ndarë duke u ulur në ulëset e tifozëve në palestrën Karagaqi në Pejë, aty ku edhe ishte zhvilluar ceremonia e festës së abetares.
Kujtojmë se lidhur me këtë incident, në vitin 2022 kishte pasur reagime të shumta.
Ish deputeti, Veton Berisha kishte publikuar një kronike nga Festa e Abetares në Pejë, ku shihej se një grup nxënësish të komunitetit Rom, Ashkalinj, Egjiptianë, ishin veçuar nga ceremonia e përfundimit të klasës së parë dhe shokët e klasës.
“Një mësuese e shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë e quajtur Gjylfidane Morina duke iu bërë nder fëmijëve të këtyre komuniteteve i vendos në një vend krejt të veçantë prej nxënësve Shqiptarë dhe larg nga aktiviteti që po zhvillohej, me arsyetimin se këtë po e dëshirojnë fëmijët ndërsa fëmijët e konfirmonin të kundërtën”, kishte shkruar Berisha.
Mësimdhënësja Morina me vendim të prokurorit ndodhet në ndalim për 48 orë, dhe ndaj të njëjtës është ngritur aktakuzë javë më parë për veprën penale “Mashtrimi”. /Telegrafi/