Sivjet Kosova është nikoqire e një prej bienaleve më të njohura ndërkombëtare që i kushtohet arkitekturës, hapësirës publike, kulturës dhe qytetit. Bëhet fjalë për Bienelen Manifesta që ka zbarkuar në Prishtinë që nga qershori i vitit të kaluar, ku do të vazhdojë deri më 30 tetor të këtij viti.
Për ata që nuk e dinë, drejtoresha e këtij organizimi, Hedwig Fijen – e cila është themeluese e Manifestës – në një intervistë për Telegrafin sqaron se Manifesta është bienale shëtitëse evropiane, e vetmja që udhëton për çdo dy vjet nga një qytet evropian në tjetrin. Organizatorët e shikojnë botën përmes syve të një qyteti të caktuar, ndërsa fakti se organizatorët për herë të parë janë në Ballkanin Perëndimor për ta paraqet një moment krucial, meqë synimi është kaptimi pjesëve të ndryshme të Evropës përmes ndërhyrjeve artistike.
“Pra, për të gjithë ata njerëz që nuk e njohin Manifestën, mund ta krahasoni me Bienalen e Venecias; mund ta krahasoni me një festival, mund ta krahasoni me një projekt arkitekturor; mund ta krahasoni me kryeqytetin kulturor evropian. Ka pak nga të gjitha këto, por që – në mënyrë specifike – që të gjithat përqendrohen në atë që ndodhë në Prishtinë”, thotë drejtoresha e bienales.
Me pikënisje nga Roterdami i Holandës më 1996, Mainfesta ka traditë 25 vjeçare të organizimit. Gjithçka filloi në kohë ndryshimesh kur, papritur, pas 70 vjetëve të komunizmit përmbyset Perdja e Hekurt. Për znj. Fijen nuk ishte e rëndësishme që të shkojnë vetëm në vendet e Evropës Perëndimore, por edhe tek ato të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ndërsa, ishte një dëshirë për të qenë edhe në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi i fundit nisi kur Yll Rugova – i cili punonte në administratën e qytetit të Prishtinës – para katër vjetëve i bëri hapat e parë në këtë drejtim, duke e shtruar pyetjen: “A mund të na ndihmoni që ta rigjallërojmë hapësirën publike?”, pyeti ai.
“Dhe, pyetja e dytë ishte: a mund të na ndihmoni ta krijojmë dhe ta zhvillojmë një institucion të ri i cili bashkëdyzon ekologjinë, urbanizmin, teatrin, vallëzimin, performancën, artin pamor … në mënyrë që t’i tërheqë që të gjithë të tjerët në Prishtinë. Dhe, kjo është ajo që bëmë”, thekson Fijen për Telegrafin.
Me të ardhur në kryeqytetin e Kosovës, i bëri përshtypje mikpritja, por edhe ushqimi (sidomos shija e bukës këtu). Po ashtu thotë se ka përshtypje të mira për aftësitë krijuese të shumë prej qytetarëve, si dhe për energjinë e tyre.
“Ishte shtytëse ideja për njerëzit mikpritës që e duan të bashkëpunojnë – ose që ndoshta ndihen pak të izoluar, por që janë të hapur ndaj ndërkombëtarëve – për të punuar së bashku në projekte interesante”, thotë ajo. “Të gjithë kanë disa punë; disa janë DJ e të njëjtën kohë merren edhe me punë të tjera, por që të gjithat i bëjnë me cilësi të lartë, për çka në ishim në gjendje ta formojmë një ekip fantastik, këtu në Kosovë”.
Në një periudhë gati dyvjeçare të ballafaqimit me pandeminë globale të Covidit-19, problemet ishin të pashmangshme edhe për bienalen Manifesta. Po për këtë, znj. Fijen shton se duhej të rimendohej disa herë mënyra dhe forma e organizimit.
“Manifesta 13, në Marsejë të Francës, u hap gjatë pandemisë dhe gjatë izolimit”, thotë ajo. “Mendonim se si mund të vazhdojmë e të veprojmë por, në të njëjtën kohë, të bëhemi tamam lokalë. Kështu, fokusi ynë u zhvendos nga ajo që ndërlidhej më shumë me ndërkombëtaren, për të kaluar më shumë në krijimin e projekteve me artistët vendas, me arkitektët vendas, me shoqatat lokale, me organizatat … e në njëjtën kohë të ketë nivel ndërkombëtar. Pra, të përpiqemi të punojmë në mënyrë më hibride”.
Përderisa ndodhet në Prishtinë, znj. Fijen nuk ka se si të mos i vërejë problemet e shumta me urbanizmin. Por, a mundet Manifesta të ndihmojë Prishtinën dhe si?
“Duke e ftuar një arkitekt në vend të një kuratori, një vit më parë, kjo kishte të bënte me këtë: si mund të lehtësojmë, të ndërmjetësojmë ose të nxisim ndihmën, idetë e reja ose ndryshimin”, thotë ajo.
Fjala është për ndërhyrje simbolike në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë nëse i heqim disa nga makinat nga rrugët e caktuara e se si do të funksionojnë disa modele.
“Përpiqemi t’ia nisim me ide të reja”, shton drejtoresha e bienales. “Pra, duam jo vetëm ta krijojmë një festival për njëqind ditë, por të krijojmë diçka që është më e qëndrueshme dhe që ndoshta mund të vazhdojë edhe kur Manifesta largohet nga këtu”, thotë Fijen.
Për fund, ajo flet për mesazhin që Manifesta tenton të përçojë te pjesëmarrësit e që ka të bëjë kryesisht me pozitivitetin dhe këshillën për të qenë të bashkuar.
“Mendoj se duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, atë se çfarë rrëfimesh kemi secili prej nesh e që mund të tregohen në mënyra të ndryshme; si mund ta dëgjojmë njëri-tjetrin, si mund të ndihmojmë për t’i rithënë këto histori, por edhe si, p. sh., të jemi të durueshëm e më me mirëkuptim”, thotë ajo. “Kur pandemia është këtu bashkë me problemet, le të themi gjeopolitike, afërsia me njëri-tjetrin në komunitete, për të krijuar kohezion, p. sh. duke e ngrënë bukën bashkërisht ose duke krijuar e një rrëfim të përbashkët, është mesazhi për Manifestën”. /Telegrafi/