Varianti Delta i coronavirusit që po qarkullon nëpër Shtetet e Bashkuara, duket se shkakton më shumë sëmundje dhe përhapet me lehtë, e krejt kjo është bërë e ditur në një dokument të brendshëm të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, shkruan CNN.
Dokument i prezantuar në formë “slide”, përmend të dhëna të papublikuara që tregojnë se personat plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 e përhapin variantin Delta, sikurse personat tjerë që nuk janë vaksinuar fare, transmeton Telegrafi.
Drejtoresha e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky, ka konfirmuar autenticitetin e dokumentit për të cilin fillimisht kishte raportuar The Washington Post.
“Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë se ne nuk jemi ujku që qanë. Është diçka serioze. Është një prej viruseve më të transmetueshëm për të cilin dimë deri më tani”, ka thënë Walensky për CNN.
Në anën tjetër raportohet se CDC planifikon të publikoj këto të dhëna të premten, për të mbështetur vendimin e Walenskyt për të ndryshuar doracakun për personat që janë vaksinuar plotësisht.
Ajo tha të martën se CDC-ja ka rekomanduar që personat e vaksinuar plotësisht, duhet të bartin maska në ambiente të mbyllura ku rreziku për bartjen e virusit është shumë i lartë.
Madje ka bërë me dije se të gjithë – në shkolla, nxënësit, stafi dhe vizitorët do të duhej gjatë tërë kohës të bartin maska mbrojtëse.
“Këto masa aplikohen për ta vënë nën kontroll situatën – e di se janë paksa ekstreme”, ka shtuar ajo për CNN.
Megjithatë, Walensky ka pranuar se të dhënat në këtë raport nuk e kanë befasuar. /Telegrafi/