Të gjitha veprimet e Sllobodan Millosheviqit të bëra në ish-Jugosllavi kanë pasur pas vetës Kishën Ortodokse Serbe.
Kështu pohon eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në dokumentarin VIRUSSIA, duke shtuar se Millosheviq këtë përkrahje e ka pasur edhe nga Rusia.
“Sllobodan Millosheviq edhe pse komunist, do të thotë ateist, e ka përdorur Kishën Ortodokse [Serbe] në vitin 1989, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, pra mitit rreth Kosovës. Pra, të gjitha veprimet që i ka bërë në ish-Jugosllavi, janë vepruar duke e pasur pas vetës Kishën dhe Rusinë”, pohon Ibishi.
Për drejtorin ekzekutiv të SEES, Agim Musliu, Kisha Ortodokse e Rusisë po instrumentalizohet nga presidenti Vladimir Putin.
Sipas Musliut, ky instrumentalizim është përdorur për të manipuluar shumicën e kishave të tjera ortodokse.
“Vladimir Putin e ka instrumentalizuar Kishën Ortodokse Ruse, e cila vazhdimisht i ka manipuluar shumicën e kishave të tjera në rrethinën e saj, gjithashtu ka pasur ndikim të madh edhe në Kishën Ortodokse Serbe”, shprehet Musliu.
“Kështu që kur një Kishë është e instrumentalizuar, atëherë besimtarët e saj bëhen një mjet mjaft i fortë i përdorimit”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Darko Trifunoviq, ekspert i sigurisë nga Serbia në VIRUSSIA thekson se, kjo nuk është normale dhe tregon se dikush, duke aluduar në Rusinë, po dëshiron të marr ndonjë manastir [serb].
“Këto gjëra nuk duhet bëhen. Këto gjëra do të na çonin në të kaluarën. E pse nuk duhet bërë? Situata është shumë e qartë kur Kisha është në pyetje, edhe pse duket e komplikuar”, thekson Trifunoviq.
“Kjo nuk është normale. Nuk është normale kur kërkon faltore serbe. Edhe në Kosovë, sikurse në Kosovë dikush po dëshiron të marrë ndonjë manastir dhe atë ta tregojë se kushedi në çfarë mënyre”, thekson ai.
Dokumentari tashmë i njohur jo vetëm në Ballkan, VIRUSSIA në këtë episod ka trajtuar ndikimin malinj të Rusisë përmes Kishës Ortodokse. /RTK/