Dogana e Kosovës njofton se sot, më datë 22.12.2024, në Pikën Kufitare të Merdares, rreth orës 18:00 te një autobus me targa vendore është gjetur një armë zjarri me 50 fishekë.
“Gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim disa valixhe. Gjatë procesit të skanimit, është vërejtur se në njërën nga valixhet ndodhej një armë dhe 50 copë fishekë. Pas verifikimeve të mëtejshme, është konstatuar dhe gjetur pronari i valixhes”, njofton Dogana e Kosovës.
Arma dhe fishekët janë konfiskuar menjëherë dhe janë dorëzuar pranë Policisë Kufitare për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka marrë përsipër trajtimin dhe hetimin e këtij rasti, në përputhje me ligjet në fuqi.
Dogana ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë, për të kontribuar për një mjedis më të sigurt./Telegrafi/