Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka deklaruar se do të shqyrtojnë shqiptimin e masave ndaj të gjithë atyre që po i djegin hamulloret në Kosovë.
MBPZHR u ka bërë thirrje fermerëve që të ndalin praktikën e djegies së mbetjeve bujqësore pas të korrave.
“Me shqetësim po i ndjekim dhe pranojmë raportimet për djegien e hamulloreve nga disa fermerë në disa komuna të Republikës së Kosovës. MBPZHR-ja ju bën apel të gjithë fermerëve që të shtojnë kujdesin dhe përkushtimin e tyre për ndaljen e djegies së hamulloreve”.
Ministria e Bujqësisë thotë se djegia e hamulloreve po shkakton ndotje të ambientit dhe njëherësh po rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Jemi duke e përjetuar një mot me temperatura mjaft të larta, prandaj edhe djegia e hamulloreve, pos që shkakton ndotje të ambientit, shkakton dëme të tjera të shumta duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
“Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve”.
MBPZHR thotë se pas këtyre lutjeve do të pasojnë masat ndëshkuese për ata që djegin hamulloret.
“Ne si institucione qendrore, pas adresimit të këshillave dhe kërkesa e për ndaljen e djegies së hamulloreve, do të jemi të detyruar që të shqyrtojmë edhe shqiptimin e masave ndaj secilit që djeg hamulloren e tij apo të tjetrit”.
“Prandaj, ju lutemi edhe njëherë ruani parcelën e Juaj nga djegia, ruani shëndetin dhe jetën Tuaj dhe tjetrit, si dhe pasurinë e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të lëshuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural./Telegrafi/