Site icon Telegrafi

Djali i John Lennonit këndoi për herë të parë hitin “Imagine” në mbështetje të Ukrainës

(Foto: E! Online)

Julian Lennon, djali i legjendarit John Lennon, për herë të parë interpretoi publikisht këngën ndoshta më të popullarizuar të babait të tij, “Imagine”, për të ndihmuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Këngën për një botë ideale të paqes dhe dashurisë, pa uri dhe dhimbje, ai e këndoi të shtunën në tubimin virtual, “Global Citizen, Stand Up For Ukraine”.

Në të kaluarën, Julian kishte thënë se kurrë nuk do ta interpretonte hitin e madh të babait të ndjerë në publik dhe tani e ka bërë këtë, të paktën për të ndihmuar ukrainasit e prekur nga tmerret e luftës – shkruan Washington Post.

“Gjithmonë kam thënë se e vetmja herë që do të mendoja ta këndoja ‘Imagine’ do të ishte fundi i botës, sepse në atë këngë transportohemi në një hapësirë ku dashuria dhe bashkimi bëhen realiteti ynë, të paktën për një moment”.

Lexo po ashtu Para 41 vitesh u vra ikona e “The Beatles”, John Lennon

“Kënga reflekton dritën në fund të tunelit për të cilin të gjithë shpresojmë. Tragjedia e paimagjinueshme në Ukrainë më shtyu të përgjigjem në mënyrën më domethënëse që munda”, shpjegoi Julian vendimin e tij për të kënduar “Imagine”.

“Si rezultat i dhunës së vazhdueshme vrastare, miliona familje të pafajshme janë detyruar të lënë komoditetin e shtëpive të tyre dhe të kërkojnë azil diku tjetër”, ka shkruar ai në një postim në YouTube, duke i kërkuar botës të mbështesë Ukrainën dhe të gjithë refugjatët.

Në takimin “Global Citizen, Stand Up For Ukraine” morën pjesë edhe interpretues të tjerë të famshëm, si Bruce Springsteen, Elton John, Billie Eilish e Madonna. /Telegrafi/

Exit mobile version