Përfaqësuesja e Kosovës do të rikthehet sot (e mërkure) në aksion për një ndeshje testuese, para atyre kualifikuese në Kupën e Botës që mbahet në Katar në vitin 2022.
Dardanët do të jenë nikoqir të Lituanisë, në miqësoren që fillon nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Bernard Challandes do të kërkojë më të mirën nga lojtarët tanë, në mënyrë që të përcaktohet se kush është më në formë para dy ndeshjeve kualifikuese që luhen brenda pak ditësh.
Përfaqësuesja jonë cilësohet si favoritë për këtë miqësore, mirëpo fokusi kryesor do të jetë te forma e lojtarëve që janë grumbulluar.
Kosova ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore mbrëmë në stadiumin që mban emrin e legjendës së futbollit tonë, para miqësores me Lituaninë.
Nga aty, Challandes do të ketë një pamje më të qartë se kush duhet të startojë ndaj Suedisë, ku sërish jemi nikoqir.
Përballja me suedezët do të jetë e vështirë, mirëpo që në futboll nuk është asgjë e vendosur, derisa një takim më i vështirë, djelmoshat tanë i pret ndaj Spanjës, aty ku jemi mysafir.
Kujtojmë se takimi me Suedinë do të luhet më 28 mars po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa ajo me Spanjën zhvillohet më 31 mars. /Telegrafi/