Poezi nga: Frederik Rreshpja
Na zuri mëngjesi në udhë
Moj kapelja ime e vjetër!
Rrugë. Re. Përpara hieroglifja e madhe e ditës
Kyçin e saj e mban nata.
Lumi Je është shumë larg
Po mua pse më zë malli për toka që nuk i kam parë
Kurrë?
Vetëm zërin e tyre e kam parë te Li Bo.
Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te përroi
I vjetër.
Do vijnë zogjtë, do bëjnë fole
Dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar
Moj kapelja ime e vjetër.
Deri në ditën e gjahtarëve,
Gjahtarëve të mallkuar!