Site icon Telegrafi

Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Linz Grand Prix, Laurine Gashi eliminohet në raundin e parë

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale të Grand Prix Upper Austria që po mbahet në Linz të Austrisë, ndërsa garuesja tjetër Laurine Gashi është eliminuar në raundin e parë.

Distria e ka nisur në mënyrë të përkryer garën për medalje në Linz Grand Prix, duke fituar në raundin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë.

Në raundin e dytë, xhudistja pejane ishte më e mirë se kundërshtarja amerikane, Jenna Schurr, duke e mposhtur me ippon.

Pas kësaj fitore, Distria kualifikohet në çerekfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë, ku do të ndeshet me serben Nikolina Nisavic.

Në kategorinë e njëjtë, e pafat ishte Laurine Gashi, e cila u eliminua në raundin e parë edhe përkundër një lufte fantastike.

Gashi u mposht me ‘pikë të artë’ nga italiania Ylenia Monaco.

Ndryshe, Grand Prix në Linz do të ketë pjesëmarrës nga 6 kontinente,  52 shtete, 416 garues, nga të cilët 247 meshkuj dhe 169 femra, ndersa përveç Distrias dhe Laurines, Kosova përfaqësohet edhe nga Laura Fazliu (-63kg), e cila ndeshet nesër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version