Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, njoftoi se nga nesër (e hënë) do të fillojë procesi mësimor.
Fetahu, duke u bazuar edhe në njoftimet paraprake të drejtorive nga disa shkolla të Podujevës, ka përshëndetur vendimin për rikthim në shkolla.
“I përshëndes vendimet e shkollave të Komunës sonë që nga nesër të fillojnë me procesin mësimor dhe shpërndarjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”.
“Përmes këtij vendimi për t’ju kthyer procesit mësimor, mësimdhënësit tanë kanë dëshmuar vullnetin e tyre të sinqertë në kryerjen e misionit të tyre fisnik në edukimin e gjeneratave të reja”, ka shkruar ai në Facebook.
Fillimisht shkolla ‘Fan Noli” në Podujevë njoftoi për fillimin e procesit mësimor nga e hëna.
“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë të gjithë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë dhe njëkohësisht të fillojë procesi mësimor”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie”.
Më pas edhe shkolla “Xheladin Rakaliu” e gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë bënë thirrjen e njëjtë që mësimi të fillojë të hënën.
“Konsiderojmë qe vendimi i djeshëm i Qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë pozitivisht të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për nxënësit, të cilët edhe ashtu janë prekur nga humbjet të cilat u shkaktuan në dy vitet e fundit nga pandemia me virusin Covid-19”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tri shkollave./Telegrafi/