Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka përmendur sjelljen e Thibaut Courtois mes skenave kaotike që u shkaktuan mbrëmë (e diel) në ‘Estadio Metropolitano’.
‘Los Rojiblancos’ arritën që të marrin një pikë në një derbi mjaft të tensionuar pasi Angel Correa realizoi në minutën e 95-të për t’i dhënë fund një ‘natë të çmendur’ në kryeqytetin e Spanjës.
Rezultati final ishte vetëm një histori e kësaj ndeshje e cila në minutën e 70-të ishte ndërprerë përkohësisht nga gjyqtari.
Që të dy ekipet u urdhëruan që të largohen nga fusha dhe sigurimi i stadiumit u ballafaqua me tifozët në përpjekje për të mbajtur nën kontroll zemërimin e tifozëve të Atletico Madrid.
Courtois doesn’t give a f*ck on Atletico fans throwing objects on him 😂 pic.twitter.com/LvGbAd2iJZ
— Dr Yash (@YashRMFC) September 29, 2024
Ish-lojtari i Atleticos, Courtois, ishte objektivi i tyre pasi ai duket se kishte festuar para tyre golin që i dha avantazhin Real Madridit.
Kjo shkaktoi që situata të eskalonte dhe tifozët hodhën çakmakë dhe gjësende në fushë në drejtim të reprezentuesit belg.
Kjo e kishte detyruar Simeonen që të futej në fushë në përpjekje për ta qetësuar turmën, por ai gjithashtu ka thënë se Courtois duhet të marrë përgjegjësi për veprimet e tij.
“Ne të gjithë duhet të ndihmojmë. Nëse i provokojmë njerëzit, ata zemërohen. Ju mund të festoni një gol, por jo duke shikuar në tribuna, duke i provokuar ata dhe duke bërë gjeste. Nuk justifikohet as ajo që ndodhi më pas”, ka thënë tekniku argjentinas./Telegrafi/