Site icon Telegrafi

Diaspora dhuron 15 mijë teste për COVID-19, një pjesë shkon për Maqedoninë dhe Luginën

Diaspora e Kosovës, saktësisht Lazim Destani, që është përfaqësuesi i “Ecolog”-ut, Remzi Ejupi nga “Eurokoha” dhe Nazmi Viqa nga “Abbruch AWR”, kanë dorëzuar sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike 15 mijë teste për COVID-19, ndërsa 12 mijë do të jenë për Kosovën, 2 mijë do të jenë për Maqedoninë e Veriut dhe 1 mijë për Luginën e Preshevës.

Lazim Destani me këtë rast tha se është kënaqësi të jenë në Kosovë dhe të shohin për së afërmi menaxhimin e pandemisë.

Ai tha se personeli mjekësor ka bërë punë të madhe në menaxhimin e pandemisë.

“Po vijmë nga Gjermania… Bashkë me dy kolegët e mi e kemi marrë këtë iniciativë që është ma e nevojshme pasi me vështirësi po sigurohen testet… Këtë iniciativë e kemi marrë para një muaji në bashkëpunim edhe me ish ministrin Arben Vitia dhe sot po e dorëzojmë këtë donacion”, tha ai.

Nga 15 mijë teste, 12 mijë janë për Kosovën, 2 mijë për Maqedoninë dhe 1 mijë për Luginë të Preshevës.

Duke falënderuar mjekët për punën, ai tha se diaspora i ka sytë gjithnjë nga Kosova.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se personeli mjekësor në vend ka bërë punë kolosale.

Ai falënderoi Destanin dhe të tjerët për këtë donacion mëse të nevojshëm për vendin në këtë kohë pandemie. /Telegrafi/

Exit mobile version