Site icon Telegrafi

Dialogu i stërzgjatur në kërkim të marrëveshjes finale

Një dekadë dialog nga ekspertët vendor e ndërkombëtarë po shihet si jo frytdhënës.

Eksperti për Ballkanin Bodo Weber thotë se në vitet 2013 dhe 2014 dialogu kishte një sukses derisa sipas tij në tri vitet e fundit ai ishte një dështim.

“Dialogu kishte suksesin më të madh në vitet 2013-2014 kur u vendos një kornizë negociuese e përcaktuar qartë. Dialogu duhet të rikthehet në rrugën e duhur duke kërkuar rivendosjen e negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut të nisur në vitin 2013”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bodo Weber.

Drejtori i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë se dialogu nisi mirë por më pas devijoi dhe la hapësira për devijime, përcjell Telegrafi.

“Dialogu ka mësimet e veta dhe pësimet e veta. Në fillim dialogu ka arritur të ulë tensionet mes dy shteteve, duke qetësuar veriun e duke arritur një qëndrueshmëri të situatës në aspektin e sigurisë, por ka dështuar të zhvillohet në aspektin kryesor- atë të vendosjes së raporteve bilaterale mes Kosovës dehe Serbisë”, deklaroi Naim Rashiti.

Ish ambasadori Bernard Nikaj thotë se procesi është stërzgjatur.

“Jemi dhjetë vite nga pika e fillimit të procesit të dialogut dhe nuk kemi një afat kur mund të presim një marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjellë që është qëllimi final së paku për Kosovën”.

13 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia ende nuk ka marrë vendim për njohjen e realitetit të ri të krijuar në Ballkan./Telegrafi/

Exit mobile version