Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se do ta ftojnë në një interpelancë kryeministrin Albin Kurti, rreth vizitës së tij në Francë.
Sipas Beqës, qasja e Kurtit për dialog me Serbinë nuk është serioze, transmeton Telegrafi.
“Stili i Kurtit në bisedime ka qenë jo serioz nuk ka thënë diçka konkrete, përveç ‘kam thënë, më ka thënë’. Mendoj se nuk e ka përfaqësu dinjitetshëm Republikën e Kosovës. Opozita do ta thirrë ditëve në vijim në interpelancë të raportojë. Është në interes të vendit të mbyllet çështja me Serbinë, me njohje reciproke dhe besoj që domosdoshmërisht duhet me qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kyçura në këto bisedime”, ka thënë Beqa në rtv 21.
Ndryshe, të mërkurën kryeministri i vendit, Albin Kurti ishte në një vizitë zyrtare në Francë, ku është takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Kurti ka ritheksuar edhe një herë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.
“Pavarësia e Kosovës, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk do të negociohen. Me Serbinë mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona e jo për statusin e Kosovës. Vendimi i GJND-së ka hequr çdo dilemë për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Në vizitën e tij në Paris, Kurti kërkoi edhe një herë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se është e padrejtë të mos hiqen vizat kur janë plotësuar 95 kritere. /Telegrafi/