Telegrafi

Di Maria nuk hezitoi kur tregoi trajnerin më të keq me të cilin ka punuar gjatë karrierës së tij

Angel Di Maria nuk hezitoi kur u pyet për të treguar se kush është trajneri më i keq me të cilin ka punuar gjatë karrierës së tij.

Shumë lojtarë vetëm mund të ëndërrojnë për karrierën e pasur të Di Marias, apo arritjet e tij gjatë këtyre viteve.

Argjentinasi shijoi suksese tek Real Madridi, Juventusi dhe Paris Saint-Germaini, ndërsa në vitin 2022 arriti që të shpallet kampion bote.

36-vjeçari nuk do të ketë shumë gjëra për t’u penduar sa i përket karrierës së tij kur të pensionohet, por fakti se u transferua tek Manchester United mund të jetë një prej tyre.

Disa muaj pasi arriti ta fitojë Ligën e Kampionëve në vitin 2014 me Real Madridin, Di Maria iu bashkua Manchester Unitedit për një shifër rekord prej 59.7 milionë eurosh.

Vështirësitë e Di Marias për t’u adaptuar me jetën në Angli dhe raporti i tij i ftohtë me trajnerin e ‘Djajve të Kuq’, Louis Van Gaal, nuk e ndihmuan atë aspak.

Në fakt, Di Maria tani e ka pranuar se holandezi është trajneri më i keq me të cilin ka punuar gjatë karrierës së tij.

“Trajneri më i keq është Van Gaal, mos keni fare dyshim për këtë. Në rast se keni ndonjë dyshim, do ta sqaroj tani për ju”, ka thënë Di Maria për ESPN Argentina.

Çuditërisht, Van Gaal kishte një pikëpamje tjetër mbi atë se pse Di Maria dështoi në ‘Old Trafford’.

“Di Maria thotë se është problemi im. Unë e aktivizova atë në çdo pozitë në sulm. Ju mund ta rishikoni këtë. Ai nuk më ka bindur mua në asnjërën nga këto pozita”, ka thënë ish-trajneri i Man Utd./Telegrafi/