Mijëra qytetarë u mblodhën sot në kryeqytet për të protestuar kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, pas rastit të fundit që ndodhi të shtunën në Prishtinë ku një 11 vjeçare u dhunua seksualisht nga pesë persona.
Përfaqësues nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist theksuan se dhunimi i 11 vjeçares është akt i një sistemi patriarkal.
Më tej u tha se dhuna nuk është vetëm ngjarje e trishtë, është shpërfaqje e dhunës sistematike e ditore ndaj grave.
Protestuesit patën edhe tri kërkesa për institucionet.
Ata kërkuan krijimin e mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje.
Protestuesit ndërkohë janë duke vazhduar të qëndrojnë në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ndërkaq kanë hedhur ngjyrë të kuqe në të gjitha insitutcionet e drejtësisë përfshirë edhe Kuvendin e Qeverinë e Kosovës. /Telegrafi/